Cfare po ndodh ? Lideri i opozitës Sali Berisha ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe rrethit të tij familjar, duke i lidhur me aferën e dyshuar korruptive në tenderin e tunelit të Llogarasë.
Berisha tha se Rama ka qenë personalisht i përfshirë në procesin e përzgjedhjes së fituesit të tenderit, duke e shoqëruar ministren Balluku në Ankara për të finalizuar një marrëveshje që i ka kushtuar shtetit shqiptar 50 milionë euro më shumë se çmimi real. “Rama ka marrë Ballukun dhe e ka çuar në Ankara ku është organizuar takimi që ia dha tenderin lubisë me 50 milionë euro më shumë”, u shpreh Berisha.
Më tej, ish-kryeministri tha se emri i bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama, është përmendur në regjistrime që lidhen me diktimin e fituesve të tenderëve publikë. “Thuhet në regjistrim se bashkëshortja e Ramës është e implikuar në diktimin e fituesve të tenderëve”, deklaroi ai.
Berisha ngriti edhe akuza se një ish-zv/drejtor i përgjithshëm i Rrugëve është “marrë peng”, për shkak se kishte dhënë informacione për hetimin në SPAK. Ai përmendi se është kërkuar që të tërhiqej dosja ku përflitej emri i Linda Ramës, duke sugjeruar se drejtësia është ndërhyrë për ta mbrojtur.
“Imagjino të shkojnë në Surrel t’i kërkojnë dokumentet? Ndaj ai (Rama) doli me të gjithë potencialin e tij dhe mori licencë për të vazhduar zgjedhjet në gjykatë”, shtoi Berisha, duke e lidhur këtë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë ministren Balluku.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protesta të fuqishme për të ndalur atë që e cilësoi si “plaçkitje të organizuar të pasurisë publike nga kreu i qeverisë dhe rrethi i tij personal”.