Pas më shumë se 5 orësh diskutimesh dhe debatesh, ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për t’i hequr imunitetin e deputetes, zv.kryeministres Belinda Balluku.
SPAK e ka marrë atë të pandehur dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit me qëllim vendosjen e një mase arresti ndaj saj, qoftë me burg, qoftë arrest shtëpie. Por mbledhja sot ka qenë e tensionuar, pasi PS e PD nuk kanë rënë dakord mbi mënyrën e organizimit të saj, si dhe për aksesin në prova.
Pas shumë debatesh, mësohet se mbledhja ka përfunduar, ndërkohë që nuk ka një datë për mbledhjen e radhës.
Partia Demokratike kërkon që mbledhja e radhës të mbahet më 22 dhjetor. Në krahun tjetër, Partia Socialiste ka sugjeruar që mbledhja të mbahet në janar.
Nga ana tjetër, avokati i Ballukut ka kërkuar 3 javë kohë për t’u njohur me materialet hetimore. Ndërkohë që SPAK kërkon që procedura të mos vonohet dhe të zhvillohet brenda 3 deri në 5 ditëve të ardhshme.
Për shkak të mosdakordësisë, u vendos të kishte 20 minuta pushim dhe pas rinisjes së mbledhjes, kreu i Kuvendit Niko Peleshi vendosi mbylljen e diskutimeve, teksa tha se data për mbledhjen e radhës do të njoftohet në ditët në vijim.
Pas mbledhjes, foli kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se nuk mund të mbyllej mbledhja pa njoftuar një datë për mbledhjen radhës. Ai u shpreh se PS po tenton ta shtyjë për në janar çështjen. Ai u shpreh se vetë PD do të bëjë kërkesë që Këshilli i Mandateve të mblidhet të hënën ose të martën. Po ashtu, tha se do të ketë një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme parlamentare