Debati mbi drejtësinë e re dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka marrë një dimension të ri në analizën e Spartak Ngjelës.
Për Ngjelën, SPAK nuk është thjesht një organ shqiptar, por një strukturë e projektuar, e financuar dhe e mbikëqyrur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“SPAK-un nuk e kemi ngritur ne, nuk e paguajmë ne, atje ka ekspertë amerikanë” theksoi Ngjela, duke dashur të largojë çdo dyshim se politika e Tiranës mund të influencojë hetimet e nivelit të lartë.
Ai e sheh këtë institucion si ‘shpëtimin e Shqipërisë’ nga kthetra e korrupsionit shumëvjeçar. Sipas tij, fakti që figura të larta politike, përfshirë ish-kryeministra dhe ministra, janë sot nën hetim apo të pandehur, është prova më e qartë se pandëshkueshmëria ka marrë fund. Ai argumenton se frika e klasës politike nga SPAK buron pikërisht nga vetëdija se ky institucion nuk kontrollohet nga telefonatat e politikanëve vendas, por ndjek standarde të imponuara nga partnerët ndërkombëtarë.
I pyetur nëse do arrestohet Belinda Balluku, Ngjela tha: “Atë e di pushteti gjyqësor. Ajo është e akuzuar për korrupsion. E di SPAK-u dhe unë thashë që SPAK nuk është i yni. SPAK i ka bërë të gjitha dhe është ndërtuar nga Uashingtoni dhe nga ndërkombëtarët për të shpëtuar Shqipërinë nga korrupsioni. Kaq e ka thënë presidenti amerikan.”