Nga selia e PD-së, kreu i saj Sali Berisha, këtë të hënë tha se PD insiston dhe do të insistojë për një qeveri teknike për përgatitjen e një procesi të drejtë zgjedhor.
Sipas tij, Partia Demokratike, nuk avancon as edhe një emër pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike.
“Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, ose do të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ai theksoi se opozita pa asnjë diskutim do të ketë protesta edhe më të fuqishme, ku u bëri edhe thirrje shqiptarëve për ditën e premte.
“Opozita thërret ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë. Është një thirrje e madhe për shqiptarët për t’u ngritur në revoltë për t’i dhënë narko-diktatorit të tyre atë fund të turpshëm që pati narko-diktatori i Venezuelës”, theksoi Berisha.