Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu këtë të enjte ka shpallur njoftimin evakuim të menjëhershëm për banorët e Novoselës pas rrezikut të lartë nga përmbytjet. Gjithashtu është bërë njoftim për evakuimin e banorëve në disa zona të qarkut Durrës.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër janë më problematike. Fatkeqësisht nga përmbytjet në Durrës është regjistruar viktima e parë.
Në Durrës 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura në Durrës dhe 55 persona në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumi Erzen paraditen e sotme ka dalë nga shtrati.
Në Vlorë, niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 9 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Në terren mësohet se janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse.
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier. Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat e prekura që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civil dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.