Tashmë qytetarët mund të rinovojnë dokumentet e identifikimit në çdo zyrë IdentiTek, kudo në Shqipëri, pa u kufizuar nga zona ku aplikuesi rezulton i regjistruar në gjendjen civile.
Lajmi i mirë u konfirmua nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu e cila bëri të ditur se me udhëzimin e ri, për të gjitha riaplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti, (standarde ose të përshpejtuara), procedura mund të kryhet pranë çdo zyre aplikimi të IdentiTek në të gjithë Shqipërinë.
Ky lehtësim synon të rrisë aksesueshmërinë e shërbimit për qytetarët, si dhe reduktuar kohën e kostot e lëvizjes.
Nga ky ndryshim përjashtohen rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012. Këto aplikime do të vijojnë të kryhen vetëm në zyrat sipas vendbanimit të qytetarëve, në përputhje me procedurat në fuqi.
Kujtojmë që karta e identitetit tërhiqet pranë zyrës së aplikimit, ndërsa pasaporta biometrike pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku bëhet aplikimi.