Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe debatet që qarkullojnë lidhur me rolin e mundshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në politikën shqiptare.
Sula, i cili pas zgjedhjeve të fundit parlamentare është shndërruar në një nga kritikët më të fortë të lidershipit aktual të PD-së, theksoi se ndryshimi i pushteteve në Shqipëri nuk vjen nga ndërhyrjet e jashtme, por vetëm nga vota e qytetarëve.
“E vendos vota qytetare. Harrojeni nuk merret Amerika te heqë një dhe te vendose një tjetër. Nuk vijnë ndërkombëtaret, nderkombetaret janë indiverentë me opozitën, e kanë braktisur lidershipin e saj. E ke ndjekje penale lidershipin, e ke nongrata lidershipin. Ndërkombëtarët nuk janë në rrethana që të mbështesin opozitën. Duhet të riformatohet opozita, të gjendet lider, të jetë e pastruar opozita dhe patjetër ka mbështetjen e ndërkombëtarëve”, tha Sula.
Në fund, ai hodhi poshtë zërat dhe spekulimet për ndërhyrje të liderëve ndërkombëtarë në politikën shqiptare, duke i cilësuar si thashetheme dhe se ai vetë personalisht nuk i beson.
“Unë nuk shoh ëndrra, unë dëgjoj te klubi i lagjes që e ka marrë Trump në telefon Ramën dhe i ka thënë ik, nuk besoj në këto gjëra unë”, shtoi Sula.