Në një lidhje live për Euronews Albania ishte eksperti Drizan Shala, i cili tha se një konfrontim i mundshëm mes NATO-s dhe SHBA-së, do ta vendoste Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm por edhe tepër të vështirë.
Sipas ekspertit, nëse Shqipëria do të zgjidhte NATO-n do ta zgjidhte për të qenë dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duke qenë se NATO përbëhet kryesisht nga shtete anëtare të BE-së, apo do të vazhdonin mbështetjen strategjike ndaj SHBA-së, e cila konsiderohet interes jetik i kombit shqiptar. Ai theksoi se kjo është një pikëpyetje e madhe.
“Në kuadër të mandatit të Presidentit Trump, Kosova është në agjendë për të qenë pjesë e Aleancës Atlantike në aspektin e komponentit ushtarak, meqenëse në këtë drejtim është përmbushur vlerësimi i kapaciteteve dhe i personelit ushtarak. Megjithatë, ekziston ende një hendek i vogël nëse i referohemi zhvillimeve aktuale gjeopolitike dhe gjeostrategjike, si dhe parashikimeve mbi ecurinë e situatës në arenën globale. Çështja e Groenlandës dhe një ballafaqim apo konfrontim i mundshëm mes SHBA-së dhe Aleancës Atlantike, kryesisht nga pjesa evropiane, mund të krijojë një hendek në rast se nuk do të ketë një pajtueshmëri mes palëve. Siç e kemi parë, disa vende kanë dërguar grupe të tyre ushtarake për të mbështetur në mënyrë simbolike ushtrinë e Danimarkës. Nga ana tjetër një konfrontim i mundshëm për çështjen e Groenlandës mund të rrezikojë vetë ekzistencën e Aleancës së NATO-s. Në rast se, në mënyrë hipotetike, do të kishte një konfrontim mes NATO-s dhe SHBA-së, atëherë pozicionimi i shqiptarëve do të ishte një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, a do të qëndronin në krah të NATO-s për të qenë dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duke qenë se NATO përbëhet kryesisht nga shtete anëtare të BE-së, apo do të vazhdonin mbështetjen strategjike ndaj SHBA-së, e cila konsiderohet interes jetik i kombit shqiptar? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, e cila krijon shqetësime jo vetëm në nivel ushtarak, por edhe në nivel politik. Nëse përzgjidhet SHBA-ja dhe mbështetet kërcënimi i saj ushtarak në kontekstin evropian, atëherë mund t’i krijohen problematika si Kosovës ashtu edhe Shqipërisë në rrugëtimin e tyre drejt integrimit euroatlantik. Prandaj, në kuadër të një marrëveshjeje tripalëshe, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të krijojnë për herë të parë një rajonalizim ushtarak në kontekstin ballkanik, me qëllim arritjen e një pozicioni parandalues në rast se do të ketë një shkëputje të kontekstit doktrinar të NATO-s”, u shpreh eksperti.