Sinoptikania Lajda Porja u shpreh se prania e diellit do t’ua lërë vendin vranësirave duke filluar nga pasditja e sotme.
Deri ditën e mërkurë vendi do të jetë nën ndikimin e masave të ftohta dhe të lagështa, ndërsa duke filluar nga e enjtja deri në fundjavë i gjithë territori do të pësojë një ndryshim drastik duke sjellë “pranverën”.
“Masat e ngrohta sjellin pranverën në fundjavë me temperaturar qe pritet të shkojnë 18 gradë. Duke filluar nga dita e enjte dhe përgjatë fundjavës, vendi ynë do të ndikohet nga një ndryshim i masave ajrore. Një masë e ngrohtë po i afrohet territorit shqiptar, duke sjellë zbutje të ndjeshme të temperaturave. Edhe zonat malore do të shohin temperatura pozitive, ndërsa maksimumet në vend pritet të arrijnë 17-18 gradë. Kjo pjesë e dytë e javës do të jetë e ngrohtë por e lagësht“, tha Porja.
Meteorologia Porja apelon për kujdes për pjesën e dytë të javës, jo për shkak të reshjeve, por për shkak të erës. Ndërrimi i masës së ftohtë me atë të ngrohtë do të krijojë stuhi të forta ere.
“Të premten dhe të shtunën, shpejtësia e erës në det të hapur pritet të kalojë 80 km/h, duke sjellë dallgëzim të lartë dhe probleme të mundshme për lundrimin”, tha Porja.