Sali Berisha foli për protestën e radhës, e cila do të mbahet ditën e martë, më 10 shkurt.
Berisha theksoi se qëndrimi në shesh do të vazhdojë për aq kohë sa të largoj regjimi nga pushteti dhe se sipas tij kjo është rruga më e sigurt për fitoren imagjinare.
“Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti. Gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë. Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët”, u shpreh Berisha.
Mesa duket protesta e 10 shkurtit e thirrur nga Berisha nuk do të jetë një “eskursion” i radhës i demokratëve drejt Tiranës por pritet të ketë skenarë të tjerë duke u “ngujuar” në bulevard.