Policia ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me dhunimin e avokatit Kujtim Cakrani në Vlorë. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur pranë një karburanti rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike.
Sipas njoftimit, Cakrani është konfliktuar me dy persona lidhur me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera. Konfliki më pas ka agravuar në përdorimin e dhunës ndaj avokatit. Policia po vijon punën për identifikimin e autorëve.
“Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.
Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.
Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve,” njofton policia.