Tensioni i lartë i “Big Brother VIP” është zhvendosur menjëherë nga shtëpia në studio, ku Rogerti, sapo ka mbërritur, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj dy opinionistëve, Monika Kryemadhit dhe Arbër Hajdarit.
Përplasja më e ashpër ka qenë me Kryemadhin, të cilën Rogerti e ka sulmuar personalisht duke i përmendur karrierën e saj jashtë ekranit.
“Ke dështuar në politikë, çfarë nuk ke bërë për të ndenjur në pushtet,” – i është hakërryer ai, duke e kthyer kritikën e saj për lojën në një sulm për jetën e saj publike.
I pyetur për arsyen e daljes së menjëhershme pas debatit, Rogerti është justifikuar me kodin e tij të nderit dhe origjinën, duke e cilësuar ftesën e saj për të dalë si një cënim të maskulinitetit.
“Unë jam malësor dhe e mbaj fjalën. Kur ti më thua ‘dil nga shtëpia’, ti e bën për të më prekur në burrni,” – deklaroi ai me tone të larta.
Por inati i Rogerti nuk është ndalur vetëm te Monika. Ai i është drejtuar edhe Arbër Hajdarit, duke i akuzuar të dy për mungesë profesionalizmi dhe anshmëri gjatë kohës që ai ishte brenda.
“Dola vetëm t’ju shoh juve në sy, për kaq! Sepse vetëm më keni sulmuar brenda shtëpisë dhe keni qenë të njëanshëm,” – përfundoi Rogerti, duke i qëndruar bindjes se ishte viktimë e opinionistëve dhe jo e sjelljes së tij.