Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të reflektohet brenda 3–4 ditësh edhe në tregun vendas, me një shtrenjtim prej 15–20 lekë për litër.
Menjëherë pas nisjes së përplasjes mes Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt 2026, çmimet në bursat globale reaguan ndjeshëm. Nafta u rrit deri në 13%, ndërsa gazi deri në 24%, për shkak të pasigurive mbi furnizimin në një rajon kyç për energjinë.
Më 2 mars 2026, çmimi i Brent arriti në 79 USD për fuçi, nga 75 USD në orët e para të mëngjesit. Para konfliktit, çmimi luhatej mes 62–65 USD për fuçi. Importuesit raportojnë furnizime deri 10% më të shtrenjta.
Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, e cituar nga “Monitor”, kompanitë janë furnizuar me 900 USD për ton, nga 740 USD për ton më parë. Aktualisht, nafta në pikat e karburanteve shitet 170–175 lekë/litër dhe pritet të arrijë 185–190 lekë/litër në ditët në vijim.
Administratori i “Balkan Trans Albania”, Rodolf Xhillari, thekson se 60–70% e kostove në transportin rrugor lidhen me karburantin, ndaj çdo rritje e çmimit të naftës do të reflektohet drejtpërdrejt në tarifa.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti zgjerohet, çmimi i naftës mund të arrijë deri në 110 USD për fuçi, duke ushtruar presion të menjëhershëm mbi tregun vendas.
Situata rikujton marsin 2022, kur pas nisjes së luftës në Ukrainë, çmimi i Brent kaloi 100 USD për fuçi, me rritje të menjëhershme 8–12% në ditët e para të konfliktit.