Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” dhe mbështetësit e tij kanë vijuar protestën përpara Kryeministrisë, e cila edhe këtë mbrëmje u shoqërua me tensione.
Policia, e cila mbërriti aty për të ndaluar grumbullimin dhe marrjen e gjeneratorit të vendosur përpara godinës, ka sjellë dhe përplasje fizike me qytetarët dhe Lapajn.
Pas dyshimeve se ky i fundit ka humbur ndjenjat gjatë protestës, në një intervistë në “Revieë”, Lapaj sqaroi të gjithë situatën.
“Për shkak të intensitetit të përplasjes dhe numrit të lartë të policisë, faktit që nuk po lejonim që ai gjenerator të merrej në mënyrë të padrejtë dhe që nafta u derdh aty, u krijua ambient i rëndë. Jam ulur të mbaj gjeneratorin, kam pirë pak ujë dhe s’ka pasur asnjë situatë kritike. Isha dhe jam shumë mirë, më mirë se kaq nuk kam si të jem”, tha ai.
Lapaj shpjegoi më tej se kanë bërë njoftimin për çdo hap të mundshëm që ka shoqëruar protestën, përfshirë dhe masat që duhet të merren, apo oraret zyrtare kur do mbahet.
“Sot përplasja ka qenë më policinë për shkak të Bashkisë, ne i kemi çuar çdo ditë shkresë Policisë së Shtetit dhe Bashkisë ku kemi kërkuar të merren masa për protestën tonë të vazhdueshme, nga ora 17:00-20:00, me qytetarët.
Për këtë fashë orare kemi kërkuar nga policia të merren masa për zhvillimin e protestës, ndërkohë nga Policia Bashkiake të merren masa për lidhjen e energjisë elektrike. Të gjitha kërkesat tona janë bazuar në ligj”, shpjegon kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Adriatik Lapaj akuzoi kryeministrin Edi Rama që kërkon të nënshtrojë me para çdokënd që i del kundër, ndërsa Endrit Shabani tha se është i vetmi Avokat Populli që populli nuk e do.
“U dhanë dy mesazhe. Mesazhi i parë: bëni çfarë të doni, por nëse doni të bëni karrierë, duhet të “faleni” te Edi Rama. E dyta: të gjithë ata që merren me jetë publike e kanë një pazar dhe një çmim. Këtë bën Rama”, tha Lapaj.
Në lidhje me Avokatin e ri të Popullit, Endri Shabanin, Lapaj u shpreh: “Ai nuk i përfaqëson qytetarët e kësaj Republike. Është i vetmi Avokat Populli në historinë botërore që nuk e do populli. Xhixh Merimanga është shërbëtor i regjimit të Edi Ramës. Ne as nuk e presim në protestë dhe as nuk e njohim si Avokat Populli”.