Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Interview” nga Mirela Milori në Euronews Albania ka zbuluar detaje nga jeta e tij ndërsa foli edhe lidhur me marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama. Lubonja theksoi se Rama pas futjes në politikë filloi të kërkojë votën dhe jo të vërtetën.
“Tani, ajo që ndodhi pas ’97-s, që ta shpjegoj, gjithmonë interpretimi im është kjo: që është rëndom e ndodhur që pushteti të të tjetërsojë. E kanë pyetur Pjetro Nenin. I kam thënë këtë: Pjetro Nenin e kanë pyetur për faktin që ka qenë shumë mik me Musolinin përpara se Musolini ishte socialist, pastaj u bë fashist, ndërtoi lëvizjen e tij.
Dhe i thanë: “Çfarë ore, si ishte puna?”, sepse kishin qenë bashkë si Pjetro Neni, senator italian, për ata që s’e njohin, një figurë e njohur politike në Italinë e pas luftës.

Si ishte puna e Mussolinit që u kthye? Hë? Ai tha, ka një shprehje në italisht: aveva una grande volja di comandare, domethënë kishte një dëshirë të madhe për të komanduar. Më konkretisht, pra, të gjitha ato vlera ideale apo, më thuaj si të duash, vizione që kishim… për një tjetër gjë, tjetër.
Për mua, të gjitha këto i tradhëtoi si intelektual. Për ta thënë me dy fjalë, në atë kohë unë kam shkruar, kur u rrah Rama, një shkrim të gjatë te Koha Jonë të nesërmen. Midis tjerash kam cituar një intervistë që Rama do botonte dhe që s’botoi dot, ku midis tjerash thoshte: “Intelektuali kërkon të vërtetën, ndërsa politikani kërkon votën.” Kjo e dallon.
E tani, kur u bë politikan, ky filloi të kërkojë votën dhe jo të vërtetën. Dhe të kërkosh votën do të thotë shumëçka, e kuptojnë njerëzit”, tha ai.