Kryeministri Edi Rama ka mbajtur këtë të hënës një fjalim historik në parlamentin e Izraelit, ku tha se Shqipëria duhet të përdoret si busull orientimi dhe shembull bashkëjetese fetare.
Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama bëri me dije se në vendin tonë, konkretisht në qytetin bregdetar të Vlorës, do të hapet një muze për të kujtuar veprat që populli shqiptar ka bërë për të shpëtuar hebrenjtë nga torturat e nazistëve.
Po ashtu, ai tha se edhe tunelet ku u torturuan pengjet izraelite nga Hamasi pas sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, në të njëjtën mënyrë duhet të ruhen si shembull i bashkëjetesës kolektive.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi mbështetjen e Izraelit ndaj Shqipërisë gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit.
“Më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë.”, tha kryeministri duke bërë të ditur se Shqipëria nuk ka më marrëdhënie diplomatike me Iranin.
Rama falenderoi Izraelin duke thënë se e ka të vështirë ta besojë që e meriton pritjen.
Shqipëria si “busull” për botën, deklarata që u prit me duartrokitje
Kryeministri shqiptar vuri në dukje historinë e mbrojtjes së hebrenjve nga populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si një “busull për botën”. Ai kujtoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte para saj dhe se asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve.
“Gjyshërit tanë zgjodhën humanitetin, ata ruajtën cepin e vogël të humanizmit në Evropë, që po zhdukej dita ditës. Kjo histori nuk është një ornament i bukur për t’u parë, është një busull që duhet ta ndjekim, nëse duam të mbetemi të denjë”, tha kryeministri Edi Rama duke kujtuar se shqiptarët rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetët e izraelitëve.
“Do preferonim të vdisnim, para se të dorëzonim hebrenjtë tanë.”, tha Rama, një fjali që mori shumë duartrokitje nga të pranishmit në parlamentin izraelit.
“Hapim në Vlorë muzeun e hebrenjve”
Gjatë fjalimit, kryeministri njoftoi se në qytetin e Vlorës do të hapet një muze i dedikuar veprave të popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve, që nga shekulli XVI, me qëllim ruajtjen e kujtesës historike dhe edukimin e brezave të rinj.
“Me të njëjtën krenari do të hapim për herë të parë muzeun për veprat e popullit shqiptar për të shpëtuar hebrenjtë në Vlorë, në shek. 16, kur hebrenjtë që arratiseshin për t’i ishpëtuar shtypjes. Të rinjtë tanë dhe shumë vizitorë në vendin tonë, kushdo që të vijë nga vendet tuaja, të rinj dhe vizitorë, do të shohin këtë frymë dhe se çfarë është bërë për hebrenjtë.”, tha Rama.
“Hamasi, xhelati i Gazës”
Rama mbajti një qëndrim të fortë edhe ndaj konfliktit aktual në Gaza, duke deklaruar se “pa çarmatosjen e Hamasit nuk ka paqe” dhe duke e cilësuar Hamasin si “xhelatin e Gazës”.
Ai sugjeroi që tunelet ku u torturuan dhe u vranë pengjet izraelite pas sulmit të 7 tetorit 2023 të ruhen si dëshmi historike, në funksion të kujtesës kolektive dhe paqes afatgjatë.
“Tani, më lejoni t’ju marr me vete shumë larg me Jeruzalemin. Është një tunel në qendër të Tiranës, i ndërtuar për të torturuar armiqtë e popullit, ose për t’iu strehuar nga ndonjë sulm, i ndërtuar nga një regjim që kishte frikë çdo dritë lirie. Kjo memorie më ka bërë gjithnjë që të kem. Më ka ardhur keq që shumë media ndërkombëtare e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur por kanë harruar të tregojnë kush është xhelati. Ai është Hamasi.”, tha Rama.
Ai shtoi: “Sot ai tunel që përmenda pak më parë në Tiranë, është kthyer në një hapësirë për të kujtuar viktimat e atyre që ndërtuan tunelin. Në ato tunele që Hamasi vrau, torturoi pengjet izraelite, do të ruhen si pjesë e rikonstruktimit dhe rindërtimit të Gazës që të jetë një dëshmi e paqes afatgjatë që mund të arrihet dhe si shembull e memories kolektive dhe si shembull e memories kolektive që nuk duhet të harrojë të sjellë për të ardhmen vuajtjet e izraelitëve dhe palestinezëve.”
Rama thirrje për paqe nga Knesset-i: Jepini një shans jetës!
Në një thirrje të drejtpërdrejtë për paqe, Rama u bëri apel të gjitha palëve që t’i japin fund dhunës, duke theksuar se paqja është e vetmja rrugë drejt suksesit dhe së ardhmes.
“Siç e hapa me fjalët e një martiri arab për paqen, dua ta mbyll me fjalët e një martiri izraelit, nga thellësia e zemrave tona ne u flasim të gjithë qytetarëve, atyre që jetojnë duke nisur që nga Judea… (përmend disa vende) edhe palestinezëve që t’i japin fund akteve të dhunës, t’i japin një shans të ri jetës, të ruajnë dhe të veprojnë me dinjitet njerëzor. Ne po hyjmë në një rrugë të re, që po hap rrugën për një erë të re paqeje. Amen!”, tha kryeministri Rama.
Sipas tij, jo vetëm në Izrael, por në të gjithë Lindjen e Mesme ka një dëshirë për paqe.
“Dua t’ju siguroj që s’kam ardhur këtu të jap leksione, vende të vogla si vendi im marrin leksione tërë kohën. Unë besoj fort që të kërkosh paqen, nuk do të thotë se sa e keqe është pala tjetër, por se sa besnik është dikush që i qëndron vlerave në të cilat beson. Paqja nuk është vetëm një mënyrë për të shkuar drejt të ardhmes, por është e vetmja mënyrë për të patur sukses. Izraeli nuk është më i vetëm në kërkesën e tij për t’u transformuar për të ardhmen. Në rajonin e Lindjes së Mesme nga qendrat kryesore të tij vërehet një nevojë dhe dëshirë e madhe për ndryshim.”, tha kryeministri Rama.
Fjalimi u shoqërua edhe me batuta, ku Rama tha se “hebrenjtë flasin gjatë, por ballkanasit flasin edhe më gjatë”, duke shkaktuar reagime pozitive në sallë.
Kryeministri foli edhe për identitetin fetar të Shqipërisë dhe të familjes së tij, duke theksuar se vendi ynë është shembull se si mund të jesh mysliman, i krishterë apo i çdo besimi tjetër dhe jo antisemit.
“I vetmi vend që doli nga Lufta e Dytë Botërore, me më shumë hebrenj se sa në momentin kur nisi lufta, asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Askush më mirë Shqipëria nuk mund mund të sjellë shembullin si të jesh mysliman dhe jo antisemitik”, tha ai.
Në mbyllje të fjalimit, Rama uroi: “Lulëzoftë në përjetësi shteti i Izraelit dhe në dinjitet populli palestinez dhe të dyja kombet të jenë sëbashku në të ardhmen.”.