Në lidhje live për Euronews Albania ishte gazetari Poli Hoxha nga Alba Press, i cili ka qenë një ndër të parët që ka botuar një pjesë të madhe të dosjes së AKSHIT.
Ai theksoi se qilari i verërave është botuar rreth mesnatës, një ditë përpara protestës dhe pjesa tjetër u botua gjatë paradites.
“Mua më bien në dorë shumë material, ku shumicën nuk i botoj, ky është një debat që është hetuar. Unë pubikoj gjëra që kanë interesa publike dhe ruaj hetimet, siç isha kujdesur aty. Verërat i prunë doganat për pjesën e pullave që mungonin. SPAKU nuk ka polici që t’i ruaj, t’i sekustroj, t’i transportoj. Këto materiale vijnë pas masës, është materiali i masës për të bindur gjykatën për masat e arrestit që u dhanë për organizatën e AKSHIT-t.
AKSHI nuk është thjesht korrupsion, nuk është thjesht grabitje, nuk është thjesht një skemë e krimit të organizuar me pushtetin, është edhe e turpshme se lekët e taksapaguesve projektohen. Është hapur me 10 euro, “Ergys Agasi të jep zgjidhje” në 15 shtator të 2023-it dhe deri në mbylljen e këtij viti ka arritur një fitim nga 10 euro investim i hapit kapital në 230 milionë euro.
Ky, nëse merret me precedent në ekonominë botërore, është “rekord”. Ky nuk është as fitim, është grabitje e buxhetit të shtetit, duke përdorur kibernetikën, internetin dhe programet.
Nga ana tjetër, ne do të shikojmë në ndërlidhje transaksionesh të tokave dhe ajo që zihet më pak në këtë është një fjali që Ergys Agasi ka regjistruar në zyrë: “Më shumë sesa fitim i rëndësishëm është informacioni që kemi në dorë”, që do të thotë ata kishin akses në dogana, në tatime, në hipoteka, në databazën e policisë së shtetit.
Në këtë rast, edhe marrin lekë dhe shteti u lë në dorë informacionin e klasifikuar për shumë tendera sekretë. Ne e dimë shumë mirë kush ka informacionin, ka edhe pushtetin”, u shpreh ai.
Kur u pyet nga gazetari Thimi Samarxhiu se deri në çfarë niveli mund të shkojë kjo dosje, ai u shpreh se:
“Niveli po del vet se deri ku është. Motra e Agasit është ende drejtoreshe juridike tek AKSHI. Vetë drejtoresha e AKSHIT me arrest shtëpie nuk ka dhënë dorëheqje. Nuk bëhet fjalë vetëm për AKSHIN, aty është pjesë e mozaikut. Aty janë gjetur blloqe me emra njerëzish, kush do të emërohet, kush do të shkojë në polici e të tjera”, përfundoi gazetari.