John Bolton: Shqipëria ka rrezik për shkak të strehimit të opozitës iraniane

Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ish-këshilltari sigurisë së SHBA John Bolton analizon zhvillimet e fundit të konfliktit në Iran dhe pasojat e tij globale.

Duke folur për gazetarin Thimi Samarxhiu, Bolton ngre pikëpyetje mbi objektivat e administratës së Donald Trump, ndërsa lufta ka hyrë në javën e pestë.

Ai thekson se mungesa e një strategjie të qartë e bën situatën të paparashikueshme dhe rrit rrezikun e një konflikti të zgjatur.

Sipas tij, ndryshimi i regjimit në Iran mbetet kyç për stabilitetin në Lindjen e Mesme, megjithëse një objektiv i vështirë për t’u arritur.

Bolton paralajmëron gjithashtu për pasojat që kjo situatë mund të ketë për aleancat ndërkombëtare, përfshirë NATO.

Në këtë kontekst, ai ndalet edhe te Shqipëria, duke theksuar se vendi përballet me rreziqe të mundshme për shkak të strehimit të opozitës iraniane, por njëkohësisht meriton mbështetje të veçantë nga aleatët për sigurinë e saj.

Thimi Samarxhiu, gazetar: Zoti ambasador, shumë faleminderit për kohën tuaj. Po e nisim menjëherë, lufta në Iran ka hyrë në javën e saj të pestë. A po i arrin administrata Trump objektivat e saj?

Është e vështirë të thuhet se cilat janë objektivat realë të Trump. Në fillim unë mendova se ishte ndryshimi i regjimit, një objektiv të cilin e mbështes. Por, sikurse është bërë e qartë në muajt e fundit, ky qëllim ka ndryshuar dhe ndoshta nuk ishte aspak një qëllim. Aktualisht dëgjojmë Trump të flasë për largim, për shpallje të fitores apo ndryshim të regjimit, edhe pse kjo nuk ka ndodhur, por edhe për ta lënë Ngushticën e Hormuzit të mbyllur, gjë që për mendimin tim do të ishte një gabim i madh. Trump thotë shumë gjëra të ndryshme dhe shpesh herë ajo që nënkupton ai nuk përputhet me atë që thotë. Kjo e bën atë të vështirë për t’u parashikuar. Por në këndvështrimin tim, Trump do që të tërhiqet për shkak të problemeve të brendshme politike dhe jo sepse çështja e Iranit është zgjidhur.

Thimi Samarxhiu, gazetar: Zoti ambasador, për ju, fillimi i këtij operacioni ushtarak, siç e quan SHBA, ishte hapi i duhur apo i gabuar?

Mendoj se ndryshimi i regjimit është objektivi i duhur, pasi mendoj se regjimi në Iran po kërkon të pajiset me armë bërthamore, po sponsorizon terrorizmin në Lindjen e Mesme dhe mbarë botën. Është një terrorizëm shtetëror. Gjithashtu, tani po shohim aftësinë e tij për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe për të ndikuar në gjithë ekonominë globale. Kjo nuk do të ndryshojë; qasja e tyre do të mbetet kërcënuese përsa kohë ky regjim do të mbetet në pushtet. Ndaj, unë mendoj se largimi i tij është i vetmi objektiv që mund të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme. Por është një objektiv i vështirë për t’u arritur, dhe është shqetësues fakti se gjërat nuk po shkojnë ashtu si mendonte Trump përpara se të shihte aksionin ushtarak. Irani ka pësuar dëme të konsiderueshme, kjo është e vërtetë, por nëse është në pozitën ku opozita vendase mund ta rrëzojë regjimin, kjo nuk është e sigurt.

Thimi Samarxhiu, gazetar: Zoti ambasador, meqenëse përmendët regjimin, cila është gjendja aktuale e tij, nëse mund të bëjmë një bilanc pas ardhjes së pasardhësit të Khamenei, djalit të tij… Cila është gjendja e Gardës Revolucionare dhe regjimit, që janë të lidhura bashkë?

Mendoj se regjimi është dobësuar shumë. Qindra liderë të lartë të tij janë eliminuar. Mendoj se Garda Revolucionare dhe forcat e saj QUDS, që mbikëqyrin të gjitha aktivitetet dhe drejtojnë milicinë që përdoret për të shtypur popullin iranian, janë dëmtuar shumë. Në këtë pikë, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi më herët gjatë javës se mund të shihen fraktura në majat e regjimit iranian, i cili po copëtohet. Por nuk është copëtuar ende plotësisht. Dhe në këtë moment, opozita brenda Iranit, që është shumë e përhapur, por jo shumë e organizuar në pjesën dërrmuese të saj, duhet të luajë rolin që ka. Nuk mendoj se ajo është në pozitën që mund të rrëzojë regjimin. I duhet më shumë ndihmë nga jashtë, të cilën uroj se Shtetet e Bashkuara do t’ia ofrojnë përmes burimeve, komunikimit, armëve dhe gjithçkaje tjetër të nevojshme. Kjo, pasi pa dërguar trupa në terren, i takon kundërshtarëve të regjimit të luajnë rolin për ta rrëzuar atë.

Thimi Samarxhiu, gazetar: Zoti ambasador, frika që të gjithë kemi është përfshirja e SHBA në një spirale të gjatë lufte, si ajo që ndodhi me Irakun dhe Afganistanin. Dhe frika më e madhe, se çfarë do të lërë pas. A e shihni rrezikun që të jetë një luftë e gjatë dhe që të lërë pas një Iran në kaos?

Është e mundur. Ky regjim është në pushtet prej 47 vitesh. Deri në janar, kur njerëzit kishin dalë në rrugë për të protestuar, ai vrau të paktën 32 mijë persona, siç tha presidenti Trump. Unë kam dëgjuar se bëhet fjalë për 60 mijë. Pra, është një regjim brutal dhe trashëgimtarët e tij besojnë në një ideologji fetare fanatike dhe shumica e tyre do të luftojnë përsa kohë të munden. Dhe opozita, grupet etnike dhe të tjerët në veçanti, kanë shumë hesape për ta larë. Ndaj, po. Mendoj se mund të pasojë një kaos në vend. Mund të themi se ky do të jetë një rezultat i pashmangshëm duke pasur parasysh brutalitetin e regjimit në këto 47 vite. Shpresoj që ndonjë strukturë si ushtria e rregullt, jo Garda Revolucionare, por forcat tradicionale, mund të garantojnë stabilitetin menjëherë pas rrëzimit të regjimit, dhe kjo do t’i jepte popullit iranian hapësirën për të vendosur nëse duan që vendi i tyre të ecë përpara.

Thimi Samarxhiu, gazetar: Ambasador, a e kishit menduar se kjo luftë do të shkonte kaq gjatë? Nga fillimi i saj më 28 shkurt, a kishit bërë një parashikim që do të ishte kaq e gjatë, kur bëhen 5 javë?

Regjimi ka 47 vjet në pushtet, ndërsa ne jemi në luftë prej një muaji. Nuk duhet të tregohemi të paduruar. Amerikanët janë të paduruar, por kjo luftë do të zgjasë pak më shumë. Nuk mendoj se duhet të vendosim afate artificiale për fundin e operacionit ushtarak. Një gjë e tillë do t’i shkonte për shtat regjimit. Ata do të thonë: pësuam dëme të mëdha, por nëse durojmë edhe për 2, 3 javë apo cilido qoftë afati dhe mbijetojmë, atëherë mund të nisim ta rindërtojmë regjimin, t’i rikthehemi programit bërthamor, atij të raketave balistike dhe riorganizimit të rrjeteve terroriste. Ndaj përgjigjja e vetme në këto kushte, sado e vështirë të jetë, është zëvendësimi i regjimit, pasi qasja e këtij regjimi nuk do të ndryshojë përsa kohë që kushdo që është pjesë e tij do të mbajë ideologjinë e tij në pushtet.

Related Posts

Berisha paralajmëron luftë frontale ndaj oligopoleve: “Çmimet në Shqipëri janë më të larta se në BE”

Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi sot se partia e tij do të ndërmarrë një luftë frontale për të mbrojtur qytetarët nga oligopolet që…

“Korrupsioni më i madh në perceptim se sa në realitet”, Rama: Nuk çlirohemi prej …

Kryeministri Edi Rama tha gjatë një bashkëbisedimi me studentë se korrupsioni në Shqipëri është shumë më i madh në perceptim se sa në realitet, raporton A2CNN. Rama…

Erion Braçe revoltohet me ministrin e Bujqësisë: Ka dy muaj që …

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka komentuar paralajmërimin e ambasadës së SHBA-së për sulme të mundshme nga Irani në Shqipëri. Braçe…

Braçe për Bashkinë e Tiranës: Dua proces transparent, nëse pastaj del dikush tjetër…

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një intervistë për “Top Story” në Top Channel, ka folur për ambicien e tij për kryebashkiak të Tiranës. Ai theksoi…

Agron Duka tradhton Berishën? JA cfare ndodhi

Kandidatura e deputetit Erion Braçe për Bashkinë e Tiranës ka nxitur një valë reagimesh, ndër të cilat më të shumtët janë mbështetësit që e shohin atë si…

Braçe shpalli kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, reagon Petro Koçi: Ai Është …

Pasi konfirmoi zyrtarisht se do të shpallë kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, deputeti socialist Erion Braçe duket se po merr mbështetje edhe brenda PS-së. Ish-deputeti i PS-së,…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *