Ish deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka deklaruar se lëvizja e tij ka vetëm një qëllim, që PD-ja të kthehet si fituese e zgjedhjeve. Ai tha se për të arritur te fitorja duhet që të restaurohen disa kolona të dëmtuara, si mungesa e meritokracisë për të avancuar më tej në parti.
“Qëllimi është që PD të fitojë zgjedhjet, dhe kështu siç jemi nuk i fiton dot. PD duhet të kthejë disa kolona që e kanë dëmtuar PD. Unë kërkoj që të ketë meritokraci që karrierat në PD të avancojnë në bazën e disa parimeve. Të vendosim të gjithë bashkë që kush del i parë me votë të jetë ky. Në këtë fazë, unë ka disa mendime dhe po pyes demokratë të tjerë. Për të qenë korrekt nuk ka pasur rast të ngjashëm Konkurrimi është një gjë dhe takimi me demokratë gjë tjetër”, tha ai në një intervistë për ‘News24’.
Më tej Salianji nënvizoi se është shumë e rëndësishme që Partia Demokratike të bashkohet, teksa theksoi se ka bërë burg për këtë parti dhe se interesi i tij është i njëjtë me të PD-së, rrëzimi i Ramës.
“Qëndrimi im është ky që PD të jetë fituese, e kam personal sepse kam hyrë në burg për këtë parti. Interesi im personal është që të rrëzohet Rama një ditë më parë. E ndjej vuajtjen që kanë demokratët dhe shoqëria. Unë jam duke folur si të përmirësohet PD, unë këtë diskutim kam. Ka dy qëndrime një është që Rama na vjedh zgjedhjet, unë them që s’mund të themi gjithë kohën nuk mundet Rama dhe për këtë them se e mundim Ramën duke u nisur nga vetja. Nuk kemi vendosur asnjë diskutim se çfarë do bëhet me zotin Berisha, por për disa probleme që ekzistojnë në PD. Ndaj them duhet ripërtërirë. Ne po bëjmë përpjekje për bashkim”, u shpreh Salianji.