Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pasi kryetari i Kuvendit ka urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për çështjen e Belinda Ballukut më 28 janar.
Sipas Bardhit, ky bllokim 6 javor është një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e maxhorancës, “që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.”
Ai shton se akte të tilla tregojnë se drejtësia më në fund po shkon te kryeministri Rama dhe “se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.”
“Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve. Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.“, shkruan Bardhi.
Kujtojmë që pasi më 19 dhjetor, në mbledhjen e parë të Këshillit të Mandateve, ku nuk arrit dakordësi, demokratët i janë drejtuar disa herë Kuvendit me shkresa, ku kërkonin mbledhjen e radhës për ta shqyrtuar sa më shpejt kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të të pandehurës me qëllim dhënien e një masë më të rëndë sigurie ndaj saj.
Krahas kërkesës, SPAK depozitoi në Kuvend edhe dosjen mbi 16 mijë faqe kundër zëvendës kryeministres.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkeljet në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për shumë procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe në kryeqytet.