Gjirokastra sot është më e heshtur, pasi ka humbur një nga zërat e saj më të përkushtuar, dirigjentin Maestro Roland Çene.
Ai nuk ishte vetëm dirigjent i orkestrave dhe mjeshtër i partiturës, por njeri që e deshi thellë këtë qytet dhe ia kushtoi jetën muzikës së tij. Me durim, fisnikëri dhe pasion, ai formoi breza muzikantësh, duke u mësuar jo vetëm tingullin e saktë, por edhe dinjitetin e profesionit dhe respektin për traditën.
Ikja e tij lë një boshllëk të madh në muzikën shqiptare, por vepra, kujtimi dhe mirënjohja e brezave muzikorë do ta mbajnë gjithmonë të pranishëm në skenën shpirtërore të Gjirokastrës.
U prehsh në muzikë dhe në paqe, Maestro Roland Çene.