Në intervistën e saj për emisionin “Aromë gruaje” në RTSH, Linda Rama ka bërë një skaner të hollësishëm të jetës publike në Shqipëri, duke analizuar raportin delikat mes politikës, filozofisë dhe medias.
Zonja Rama bëri një ndarje të qartë mes filozofisë, që kërkon kohë dhe jep ligjshmëri, dhe politikës, që është arti i të përditshmes dhe veprimit.
“Dinamika e politikës është tjetër nga ajo filozofike. Aq i larmishëm sa është realiteti, aq të larmishme janë edhe vendimmarrjet apo mënyrat që politika gjen. Është kollaj të kritikosh nga jashtë. Jeta pranë Edit më ka mësuar gradualisht se vërtet nuk i di të gjitha. Një njeri duhet t’i japë mundësi vetes që të mos e çojë gjykimin deri në ekstrem. Thjesht e kam mësuar: ti nuk i di të gjitha. Tani e kam bërë timen. Gjykimi i padrejtë është ngarkesë negative.“, tha ajo.
Sipas saj, kalimi nga bota e ideve në atë të vendimmarrjes shpesh shoqërohet me kompromise të dhimbshme për integritetin e mendimtarit.
“Kam parë filozofë që kanë hyrë në politikë, por që janë zhveshur si filozofë. Ata pranojnë deformimin për hir të politikës,” tha ajo, duke shtuar se personalisht nuk e justifikon këtë qasje as “për një të mirë të madhe”.
Në analizën e saj për aktorët shoqërorë, Linda Rama e cilësoi pushtetin si të dominuar nga egoja, ndërsa shoqërinë civile si “ndjeshmëri e shtuar” dhe një “zile” që pushteti duhet ta dëgjojë. Ndryshe nga shoqëria civile, për median ajo u shpreh:
“Shoqëria civile ka nevojë për pushtetin, sepse ajo është ndjeshmëri e shtuar. Kurse pushteti është i pushtuar nga egoja. Shoqëria civile është një zile që duhet ta dëgjojë pushteti. Ata mund të bashkëjetojnë duke u dëgjuar njëri me tjetrin. Nuk mund ta them këtë për median. Media, si pushtet, nuk është e zhveshur nga egoja. Media e ka raportin me të vërtetën. Por janë edhe përgjegjësitë, si kodi në raport me ligjin, mjedisin, lirinë; dhe nëse ti i ke plotësuar këto, liria ka kuptim”, tha zonja Rama.