Shqipëria ka bërë aplikimin për të përfshirë Liqenin e Shkodrës në UNESCO.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë aktivitetit “Për ty Natyrë”, teksa tha se dosja është dorëzuar para disa javësh.
“Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka dorëzuar para pak javësh dosjen e aplikimit për përfshirjen në UNESCO të liqenit të Shkodrës, një tjetër pasuri natyrore e Shqipërisë do t’i bashkohet pasurive botërore të UNESCO-s”, është shprehur ministri Jaupaj.
Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.