Një natë e tensionuar është shënuar përpara Kryeministrisë, ku forcat e policisë kanë ndërhyrë me dhjetëra efektivë për të hequr me forcë çadrat e vendosura nga protestuesit e nismës “Shqipëria Bëhet”, të udhëhequr nga Adriatik Lapaj.
Lapaj, i cili një ditë më parë kishte nisur një protestë individuale duke u ulur në një karrige, u përball sot me ndërhyrjen e uniformave blu pas përpjekjes për të ngritur një çadër kampingu. Sipas tij, akti simbolik i një proteste paqësore u përball me reaksion disproporcional nga policia, që ndaloi me forcë vendosjen e çadrës dhe sekuestroi materialet.
Pas ndërhyrjes, Lapaj reagoi ashpër dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij të bashkohen masivisht në protestë dhe të dërgojnë ndihma për të kaluar natën në kushte të vështira.
“Urojmë që qytetarët të bashkohen masivisht. Ata që më ndjekin e dinë që sa herë i kam hyrë një proteste, ka zgjatur. Nuk ka kthim pas, do të rrimë këtu. Kjo e dëmton autokracinë e Ramës që është kthyer në të pangopur. Sot jemi pak, por po u bëmë 10 mijë, a do vijnë të na marrin çadrat prapë…”, deklaroi ai.
Lapaj kërkoi ndihmë konkrete nga qytetarët, duke bërë thirrje publike për batanije e mjete të tjera që ndihmojnë qëndrimin në shesh.
“Të dashur ndjekës, na dërgoni batanije, kemi nevojë. Çfarë të keni, na i dërgoni të kalojmë natën. Ftohtë është, por nuk ka kthim pas. Shefi i tyre Rama e humbi durimin me gjyqtarët, punonjësit e policisë e humbën durimin me ne”, shtoi ai.