Agron Gjekmarkaj jep dorëheqjen pas votimit të Endri Shabanit si Avokat i Popullit…
Nuk ka qetësi në Partinë Demokratike. Emërimi i Endri Shabanit jo vetëm ka ndezur debatet, por duket se po krijon kaos brenda partisë më të madhe opozitare. Pas përplasjeve të forta sot në Kryesi, mësohet se Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike, në një letër drejtuar kryetarit Sali Berisha.
Sipas burimeve nga selia blu, Gjekmarkaj ka pranuar se firma e tij për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit ka qenë një gabim dhe, për pasojë, ka vendosur të tërhiqet nga detyra.
“Vendimi për ta pranuar ose jo mbetet në kompetencën tuaj”, ka deklaruar Gjekmarkaj në një komunikim të drejtpërdrejtë me Berishën, duke e cilësuar dorëheqjen si një akt personal reflektimi dhe kërkim faljeje.
Ndwrkohw sot, Kryesia e Partisë Demokratike është përfshirë nga tensione të forta dhe përplasje ku në qendër ka qenë ish-deputeti Ervin Salianji, i cili ka sfiduar Sali Berishën dhe Flamur Nokën për mënyrën si po drejtohet partia dhe përjashtimin e figurave me mbështetje nga baza.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Salianji ka kërkuar llogari për faktin se pse nuk u përfshinë në listat e zgjedhjeve të 11 majit më të votuarit e primareve. “Pse nuk janë në lista ata që fituan primaret? Pse nuk është Hysen Kadia, që ka qenë më i votuari në qarkun e Tiranës?”, ka pyetur ai drejtëpërdrejt Berishën.
Berisha, ka reaguar me akuzë ndaj Kadisë: “Ai nuk ka bërë një ditë fushatë. Ishte në Amerikë. Kam mesazhet. Në fushatë nuk punoi për PD-në, por për Edi Ramën”.
Salianji ka kundërshtuar menjëherë deklaratën e liderit të PD-së: “Kam fotografi nga fushata në fshatrat e Kavajës, ku Kadia ka qenë aktiv. Kjo që po thoni nuk është e vërtetë. Demokratët e ndershëm nuk duhen përjashtuar. Kemi kthyer partinë në makinë përjashtimi”.
Tensioni është rritur edhe më tej, kur Salianji ka shtuar: “Sot mendova se kishim mbledhjen për të rrëzuar Edi Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen nga kundërshtari i vërtetë. Po luftoni demokratët, jo qeverinë”.
Në debat është përfshirë dhe deputeti Blendi Himçi, i cili është ankuar se shumë drejtues të strukturave lokale nuk po marrin më pjesë në takimet e Berishës, por kërkojnë të bashkohen me nismat e Salianjit. “Kryetarët e grupseksioneve nuk erdhën në takimet e Berishës. Duan të vijnë tek ti. Në fushatë kanë punuar për kandidatë si Sara Mile”, tha Himçi.
Salianji iu përgjigj: “Po mirë, do t’i hiqni se po vijnë tek unë? Kjo është logjika që po na shkatërron. Ca na ikin vetë, ca i përjashtojmë ne. Dhe pastaj s’e kuptojmë pse po mbetemi vetëm. Ne jemi bërë problemi”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka ka ndërhyrë duke e akuzuar Salianjin për devijim nga linja politike: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”.
Salianji e ka goditur drejtpërdrejt: “Jep dorëheqjen, Flamur. E ke shkatërruar partinë. Gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja. Nuk mund të bëhemi gazi i opinionit publik dhe të mos mbajmë përgjegjësi”. /Pamfleti