Kriza politike u rikthye që në seancën e parë plenare të vitit 2026, duke e shndërruar Kuvendin në arenë përplasjesh. Opozita bllokoi foltoren dhe e cilësoi provokim praninë e zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa maxhoranca paralajmëroi se reformat do të miratohen edhe pa demokratët.
Kriza politike u reflektua edhe në seancën e parë parlamentare për vitin 2026. Opozita Parlamentare e konsideroi provokim ardhjen në seancë plenare të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke bllokuar menjëherë foltoren dhe kërkuar me tone të larta heqjen e imunitetit të saj.
Qëndrimet e palëve në seancë treguan polarizimin e skajshëm që ka përfshirë klasën politike, ku maxhoranca preferoi ti tregonte forcën opozitës, duke paralajmëruar ndryshime të hartës territoriale dhe kodit zgjedhor edhe pa praninë e demokratëve, shkruan A2.
“Kohë për të humbur kemi zero, do të miratojmë këto, po deshët ejani”, tha Taulant Balla.
Për të treguar vendosmërinë, Balla risolli në vëmendje atë se çfarë socialistët kanë bërë në të shkuarën, që konsiderohen edhe arsye të krizës politike që ka përfshirë vendin: “Siç bëmë në 2014 me hartën territoriale, siç bëmë me Kodin Zgjedhor në 2020…”.
Atë se çfarë nuk e thanë në sallë, demokratët e thanë jashtë. Pas deklaratave, parlamentarët u larguan duke treguar se bashkëjetesa politike në sallën e Kuvendit nuk do të jetë rozë në këtë sesion të ri. (A2 Televizion)