Kryeministri Edi Rama vijoi sërish debatin në distancë me gjyqtarët për çështjen e rritjes së pagave të tyre. Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama theksoi se ishte i habitur nga reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve, ndërsa shtoi se kërkesa e saj është unike në historinë e Europës.

“Jam këtu në një komunikim të drejtë për drejtë, sepse jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që, në këndvështrimin tim, është e papranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët. Është hera e dytë që ndodh një situatë e tillë, e shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, ndërsa flas për atë që përfaqësoj në emër të shqiptarëve, për një interes për të cilin jemi në gjyq. Jemi palë, dhe shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike, duke përdorur një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Një pushtet që duhet të arbitrojë, e jo një arbitër që thotë: ‘Bilbili është i imi’. S’mund të thuash ‘topi është i imi’, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni,” tha ai mes të tjerash.