Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e procedurave të hollësishme për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim dhe modelin e aktit të kalimit në pronësi.
Vendimi përcakton kuptimet bazë, ku “truall shtetëror në përdorim” përfshin sipërfaqen nën objekt dhe sipërfaqet funksionale përreth tij, sipas genplaneve dhe dokumentacionit të privatizimit ose të lejes së ndërtimit.
Procedurat administrative të kalimit të pronësisë do të kryhen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës edhe kur ndërtesa është e dëmtuar, për sa kohë që ajo është e pasqyruar në regjistrat kadastralë.
Aplikimi dhe tarifat
Kërkesa për kalimin e pronësisë paraqitet online nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, dhe tarifa e shërbimit paguhet në momentin e aplikimit. Tarifa është e pakthyeshme në rast refuzimi.
Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të ligjit, për të cilat procedura nuk ka përfunduar, nuk aplikohet pagesa e tarifës. Vendimi parashikon edhe ulje 20 % të vlerës për subjektet që kanë paraqitur kërkesë përpara datës 1.7.2012 dhe që kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për njoftimin.