SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle te “Kodra e Diellit“ në Tiranë, dyshohet për abuzime me tenderët e AKSHI-t
SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë ndërmarrë një aksion në zonën e “Kodrës së Diellit”.
Detajet lidhur me qëllimin e këtij aksioni nuk janë zbuluar ende, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare. Dyshohet se kontrolli nga agjentët e BKH dhe SPAK ka të bëjë me një hetim që lidhet me tendertët e AKSHI-it. Mësohet se SPAK ka lëshuar urdhër arreste për disa zyrtarë të AKSHI-t dhe biznesmenë.
Më saktë, janë lëshuar urdhër arreste ndaj dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Urdhër arreste ka edhe ndaj disa zyrtarëve te AKSHI, dhe ka një masë sigurie arrest në shtëpi edhe ndaj drejtueses, Mirlinda Karçanaj.
Në lidhje me këtë operacion, masë pezullim nga detyra është vendosur edhe për Erjon Ismailin, zëvendës drejtor i policisë së Tiranës.
Ky aksion vjen pas përplasjeve të BKH me kryeministrin Rama. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pak ditë më parë mësynë në Kryeministri.
Lajmi u bë i ditur nga Rama, i cili në podkastin “Flasim” riktheu sulmet ndaj organeve të drejtësisë. Ai sulmoi edhe agjentët e BKH-së, teksa deklaroi se agjentët ushtruan kontrolle në godinën e drejtuar prej tij. Madje, Rama deklaroi se ka pasur edhe përplasje mes tyre dhe Gardës, pasi agjentët nuk kanë dashur të dorëzojnë armët te dera e Kryeministrisë.

Më pas, në një reagim SPAK nxorri blof Ramën teksa tha se nuk ka pasur përplasje mes BKH dhe Gardës. Në reagimin zyrtar të SPAK, Rama del edhe gënjeshtar, i cili ka fabrikuar një të pavërtetë, duke akuzuar agjentët e BKH-së se kanë pasur përplasje me gardistët që ruajnë Kryeministrinë.
“Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, thuhet në reagimin zyrtar të SPAK.