Kryeministri Edi Rama ka folur sërish mbi sigurinë ushqimore, ku tha se Shqipëria po përballet me një fazë tranzitore 5-vjeçare për të qenë në linjë me standardet e Bashkimit Evropian.
Kreu i qeverisë u shpreh se të marrësh pjesë një fazë tranzitore për sigurinë ushqimore, do të thotë që gjatë kësaj faze, mos të jesh në gjendje të eksportosh, por, je i lejuar të konsumosh vetë.
Por, siç tha Rama, pas fazës tranzitore prodhuesit mund të mos jenë në gjendje të konsumojnë as vetë nga ato që prodhon dhe që nuk janë njësh me standardet e BE të sigurisë.Rama u shpreh se fermerët, sipërmarrjet në fshat, duhe të jenë të qartë se në rast se nuk janë gati, nuk kanë asnjë rrugë tjetër përveç se të ulin qepenin.
“Një tjetër sfidë të rëndë që e kanë kaluar vendet e tjera, ne po përpiqemi të fitojmë një faze tranzitore 5 vjeçare, që është maksimumi që mund të marrim, është siguria ushqimore. E dini çfarë do të thotë të marrësh një fazë tranzitore për sigurinë ushqimore, do të thotë që gjatë kësaj faze, mos të jesh në gjendje të eksportosh, por, je i lejuar të konsumosh vetë dhe pastaj, pas fazës tranzitore të mos jesh ne gjendje të konsumosh as vetë asgjë nga ato që ti prodhon këto dhe që nuk janë njësh me standardet e BE të sigurisë. Pse? Sepse nuk je më një treg më vete. Je pjesë e një tregu me 450 milionë njerëz dhe do t’i nënshtrohesh atij tregu. Pra nuk mundet dikush në Dibër apo Gjirokastër të thotë që unë nuk i nënshtrohem rregullave të tregut shqiptar dhe unë do ti ther bagëtitë të trotuari i shtëpisë sime. Pse? Sepse kjo nuk lejohet. Dhe njësoj është raporti i gjithë BE-së me Shqipërinë në këtë rast, apo me vendin që del nga faza tranzitore që nuk lejohet të bëjë këtu asgjë që nuk është e përputhur me rregullat e sigurisë që ka tregu”, tha Rama.